Sipas një sondazhi përfaqësues, 84 për qind e zviceranëve do të dëshironin të votonin në mënyrë elektronike. Një shumicë e madhe kërkon gjithashtu oferta të standardizuara nga shteti dhe jo nga kompanitë private.
Pandemia e koronavirusit ka rezultuar të jetë një katalizator për dixhitalizimin, shkruan kompania e auditimit dhe konsulencës së Cyrihut Deloitte në sondazhin e saj të publikuar të martën, transmeton albinfo.ch. Përveç shtimit të blerjeve online dhe e-banking, zviceranët kanë përdorur gjithnjë e më shumë shërbimet dixhitale të ofruara nga autoritetet që nga fillimi i pandemisë.
Sipas anketës, 38 për qind e të rriturve të pyetur kanë praktikuar një hapje më të madhe ndaj shërbimeve të qeverisjes elektronike gjatë kësaj kohe, shkruan agjencia e lajmeve, sda.ch.
Në të njëjtën kohë, 21 për qind e të anketuarve thonë se besimi i tyre në shërbimet dixhitale të ofruara nga autoritetet kishte rënë gjatë pandemisë, shumë më tepër se në sondazhin e Deloitte të vitit të kaluar (kur ishin vetëm 7 për qind). Shumë nga të pyeturit përmendin sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e të dhënave si arsye kryesore për një gjë të tillë.
Pro shërbimeve shtetërore
Ashtu si në sondazhin e vitit të kaluar, një shumicë e qartë prej 73 për qind do të donin që autoritetet të ofrojnë shërbime uniforme në të gjithë Zvicrën. 86 për qind e të anketuarve duan gjithashtu që shërbimet dixhitale të ofrohen nga një agjenci qeveritare dhe jo nga kompanitë private, transmeton albinfo.ch. Vetëm 8 për qind e njerëzve të anketuar nuk shohin ndonjë vlerë të shtuar në shërbimet dixhitale të ofruara nga autoritetet.
Të anketuarit, në mesin e avantazheve të shërbimeve dixhitale nga autoritetet publike përmendin: thjeshtësinë (68 për qind), kursimin e kohës (72 për qind), fleksibilitetin në aspektin e vendndodhjes (72 për qind) dhe fleksibilitetin për sa i përket kohës (75 për qind).
Një shumicë e qartë e të pyeturve do të donin gjithashtu shërbime të reja. 84 për qind thonë se do të donin të porosisnin një pasaportë ose letërnjoftimi në mënyrë dixhitale, pa u detyruar të shkojnë në zyrën e pasaportave.
Për të realizuar këtë sondazh, në shtatorin e kaluar, Deloitte ka anketuar 1000 veta midis moshës 18 dhe 81 vjeç nga zonat urbane dhe rurale në pjesët gjermano-folëse të Zvicrës.