Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se është e njoftuar për detajet e njohjes nga një shtet afrikan, emrin e të cilit nuk e ka bërë të ditur.
Osmani në një konferencë për media ka treguar arsyet për mospublikimin e emrit të këtij shteti.
“Si presidente jam e njoftuar për të gjitha detajet për procesin e njohjeve, jam e njoftuar nga Ministria e Punëve të Jashtme. Është në interesin e Kosovës që deri të ndodhë njohja të mos e bëjë publike. Kushdo që tenton ta bëjë publike, vetëm sa e dëmton procesin”, tha Osmani.
Për më tepër, kreu i vendit tha se Kosova meriton të njihet nga të gjitha shtetet e botës.
“Ne do të punojmë pareshtur se Kosova e meriton të njihet pavarësisht dëmit të madh që i është bërë përpara”, tha ajo.
Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka bërë të ditur se një shtet afrikan ka bërë gati njohjen e Kosovës dhe se për këtë kishte njoftuar paraprakisht presidenten Vjosa Osmanin dhe kryeministrin Albin Kurti.
Deri më tani 117 shtete e kanë njohur Kosovën. I fundit ishte Izraeli, njohja e të cilit erdhi më 1 shkurt të vitit 2021.