Zyrtarët zviceranë të shëndetësisë po lëshojnë paralajmërime se kufizimet aktuale nuk do të jenë të mjaftueshme për të parandaluar një mbingarkesë të spitaleve, transmeton albinfo.ch.
Rudolf Hauri, anëtar i Konferencës së Drejtorëve Kantonalë të Shëndetësisë, tha se nëse situata epidemiologjike nuk përmirësohet me shpejtësi dhe në mënyrë drastike, “nga pikëpamja e shoqatës së mjekëve kantonalë së shpejti do të duhet të shqyrtojmë propozimin e masave të tjera për vendimet politike”.
Për shembull, ai përmendi qasjen “2G plus”: lejimi i aksesit në vende të caktuara publike vetëm për njerëzit e vaksinuar dhe të rikuperuar që do të jenë testuar paraprakisht – një masë që do të shkonte përtej rregullit tashmë të rreptë “2G” që lejon aksesin vetëm për mbajtësit e certifikatave të vaksinuara dhe të rikuperuara, por nuk kërkon teste shtesë.
Propozime të tjera përfshijnë kufizimin e kapacitetit të ngjarjeve të caktuara apo edhe, si mjet i fundit, mbylljen e plotë të vendeve të caktuara.