Ditë më parë, në afërsi të Berlinit, në Senzig, hetuesit gjetën pesë trupa të pajetë në një shtëpi. Tani është bërë e qartë se kush është përgjegjës për këtë dhe cili ka qenë motivi, transmeton albinfo.ch.
Midis viktimave ishin tre fëmijë të moshës katër, tetë dhe dhjetë vjeç, kanë njoftuar prokurori publik i Cottbus-it dhe Departamenti i Policisë së Jugut në një deklaratë të përbashkët për shtyp, pasditen e sotme, shkruan DPA.de. Dy të rriturit (prindërit) ishin 40 vjeç.
Tashmë duhet të dihet edhe motivi i aktit. Ai u mësua pasi hetuesit gjetën një letër të shkruar para vetëvrasjes, raportojnë njëzëri disa media gjermane.
Në këtë letër, babai i familjes shkruante se kishte falsifikuar një certifikatë vaksinimi për gruan e tij. Këtë e kishte marrë vesh punëdhënësi i gruas, përcjell albinfo.ch. Për këtë arsye, 40-vjeçari dhe gruaja e tij kishin frikë nga arrestimi dhe humbja e fëmijëve, ka thënë të martën kryeprokurori Gernot Bantleon, për Agjencinë Gjermane të Shtypit (DPA).