Miq, kolegë dhe qytetarë të shumtë marshuan këtë të martë në Prishtinë, në përkrahje të artistes Adriana Matoshi, që në një ditë më parë njoftoi se i është rikthyer tumori pas nëntë vjetësh.
Në mesditë, ata ecën nga sheshi ‘Zahir Pajaziti’ drejt Teatrit Kombëtar.
“Duam që me anë të kësaj ecjeje të solidarizohemi me sfidën e Adrianës, për të cilën lutemi të gjithë që ta fitoj si çdo peripeci që e ka kaluar në jetë”, shprehen organizatorët e kësaj nisme, që nisi në rrjetin social “Facebook”.
Këngëtarja Dafina Zeqiri postoi në “Instagram” një pjesë nga videoklipi i këngës “Duro”, ku protagonistja kryesore është vetë Adriana, e cila jep mesazh vajzave dhe grave të përballen me çdo sfidë të jetës se do ia dalin.
Aktorja nga Kosova postoi një shkrim force dhe kurajoje për ndjekësit e saj, ndërsa është e vendosur të luftojë sërish, me të njëjtën forcë si nëntë vjet më parë.
“Jetës pas sfidave i shtohet vlera, se atëherë e shikojmë të bukurën ndryshe, vlerësojmë të drejtë dhe njohim më mirë forcën tonë të brendshme”, shkruan Matoshi.
