Një tjetër avari të enjten ka bërë që Qeveria Federale të mos ishte në gjendje të lëshonte certifikata Covid për orë të tëra. Kjo ishte tashmë ndërprerja e tretë e madhe brenda një muaji, shkruan Agjencia e Lajmeve e Zvicrës, Keystone-SDA.
Pak para orës 12 të mesditës, Zyra Federale për Teknologjinë e Informacionit dhe Telekomunikacionit (BIT) ka raportuar për “një problem teknik me lëshimin e certifikatave Covid”, transmeton albinfo.ch. Rishikimi i certifikatave që tashmë janë lëshuar nuk preket.
Pothuajse katër orë më vonë, duke ju përgjigjur agjencisë së lajmeve Keystone-SDA, Qeveria Federale ka njoftuar se lëshimi i certifikatave Covid po funksiononte përsëri.
Në të njëjtën kohë, BIT ka theksuar se ndërprerja nuk lidhej me certifikatat e Covid të lëshuara gabimisht me nënshkrim të vlefshëm për të cilat aktualisht flitet shumë në internet.
“Nënshkrimi elektronik i certifikatave zvicerane Covid është i siguruar kundër falsifikimit” thuhet në njoftimin e zyrës në fjalë, përcjell albinfo.ch. BIT po kontrollon trajtimin e këtyre certifikatave Covid të lëshuara gabimisht.