Sipas informacioneve që ka Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, asnjëri nga ta nuk ka pësuar lëndime, por presioni që u është bërë është i papranueshëm.
Në lidhje me këtë kanë reaguar edhe nga Federata Evropiane e Gazetarëve, ndërkaq AGK-ja ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Punëve të Brendshme për të kërkuar siguri për gazetarët, kameramanët e fotoreporterët që ishin në atë pjesë.
Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, në një prononcim për Telegrafin ka bërë të ditur se komunikimi me gazetarët në veri sot ka qenë i vazhdueshëm.
“Gjatë gjithë ditës kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me gazetarët e televizioneve e medieve edhe atyre lokale në Mitrovicë, që kanë qenë pjesë e raportimit npër ngjarjet në Mitrovicë të Veriut, Zveçan e Leposaviq. Mbi 20 gazetarë së paku kanë qenë pre e sulmeve të protestuesve lokalë, derisa kanë qenë duke raportuar në Lagjen e Bonjakëve pas vendosje së barrikadave nga serbët lokalë. Ata janë sulmuar me mjete të ndryshme nga ana e serbëve”, theksoi Rexha në prononcim për Telegrafin.
Rexha njoftoi se askush nga gazetarët nuk ka pasur asnjë lëndim fizik, por siç tha ai, presioni që është bërë ndaj tyre është i papranueshëm.