Të shtunën Haxhi Robin Krasniqi do të rikthehet në ring. Ai një vit më parë ishte shpallur kampion i botës në ËBA dhe IBO në peshën gjysmë të rëndë.
Krasniqi e kishte nokautuar gjermanin Dominic Bosel, dhe u shpall kampion bote, pas 57 meçeve të zhvilluara në karrierën profesioniste.
Të shtunën në Magdeburg të Gjermanisë dhe para 5 mijë shikuesve, do të shohim revanshin ndërmjet këtyre dy boksierëve, Krasniqi-Bossel, që është edhe dueli kryesor i mbrëmjes.
Sfida pritet të fillojë në orën 23:00, shkruan albinfo.ch.
Të premten të dy boksierët kanë kryer matjet zyrtare, nga 79.3 kg që të dy, ndërsa Krasniqi për mediat gjermane ka thënë se e ka shijuar kohën si kampion i botës dhe se ka punuar shumë gjatë kësaj kohe për ta mbrojtur titullin e botës. Ai ndihet mirë dhe i gatshëm për meçin e radhës, por që e di se nuk do ta ketë të lehtë rrugën e mbrojtjes së titullit të botës.