Sot pritet të marrë fund barrikadimi i dy pikave kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, pas marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel dy ditë më parë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në orët e mëngjesit në afërsi të këtyre dy pikave janë parë pjesëtarë të KFOR-it, ndërsa siç raportohet ka nisur të lirohet njëra korsi e rrugës.
Thuhet se qytetarët serbë, me kamionë dhe mjete të tjera të rënda kanë bllokuar që dy javë këto dy rrugë nacionale në atë pjesë në shenjë proteste për vendosjen e masës së reciprocitetit për automjetet me targa nga Serbia.
Ndryshe, më 30 shtator Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në Bruksel lidhur me reciprocitetin për targa.