Ekspertët dhe autoritetet shëndetësorë po vërejnë dështime në rritje te rastet e vaksinimeve me vaksinën Johnson & Johnson.
Deri më tani, në 6,106 raste njerëzit janë sëmurë pavarësisht mbrojtjes së plotë që premton vaksina në fjalë, njofton Instituti Robert Koch (RKI) në raportin e tij aktual javor, shkruan srf.ch.
Sipas RKI, rreth tre milionë njerëz në Gjermani kanë marrë vaksinën Johnson & Johnson deri më tani, transmeton albinfo.ch. Për çdo milion njerëz të vaksinuar, sipas një vlerësimi të përafërt kanë ndodhur 2000 dështime të vaksinimit.
Për krahasim: Për njerëzit që kanë marrë vaksinën më të përdorur në Gjermani – Biontech / Pfizer – e cila jepet në dy doza, kanë ndodhur 675 dështime për milion njerëz që ishin vaksinuar plotësisht.
Duhet theksuar me këtë rast se vaksina nga Johnson – & – Johnson është e vetmja vaksinë e koronës e miratuar deri më tani në BE që, sipas Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA), kërkon vetëm një dozë.