Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Slloveni, ku po merr pjesë në Samitin rajonal të Bledit, zhvilloi takim me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi e Zgjerim, Oliver Varhelyi.
“Kryeministri Kurti përsëriti kërkesën që shtetet anëtare brenda Këshillit të BE-së të marrin sa më parë vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ai falënderoi Komisionin për punën që po bën për të bindur vendet skepitike”, bëhet e ditur në njoftimin e Qeverisë së Kosovës, përcjell Albinfo.ch.
Më tutje theksohet se Kurti e njoftoi Varhelyi për angazhimin dhe përkushtimin e Qeverisë për reforma dhe “e vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian në finalizimin e këtij procesi”.
Duke folur për zgjerimin e BE-së, kryeministri Kurti ka thënë që shtetet e Ballkanit Perëndimor “duhet të trajtohen si anëtarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian”.
Ndërkaq, Komisioneri Varhelyi theksoi që BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në procesin e reformave.
Në takim u diskutua edhe gjendja me pandeminë COVID-19 dhe rëndësia që ka për popullin e Kosovës përkrahja nëpërmjet fondeve për përballimin e vështirësive dhe ringjalljen ekonomike./Albinfo.ch