Oda e Hotelerisë dhe Turizmit ka njoftuar se në takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, është marrë vendim që nga 20 gushti deri më 1 shtator të mbyllen klubet e natës dhe të kufizohet orari i punës për sektorin e gastronomisë.
“Për fat të keq, pas ngritjes së numrit të të infektuarve me Covid 19, më 20.08.2021 do të dalin vendime të tjera kufizuese. Sa u përket sallave të dasmave, do të funksionojnë deri në orën 22:30, me kapacitet të mysafirëve deri 150. Klubet e natës do të mbyllen deri më datë 01.09.2021. Të gjitha restorantet ditore, kafeteritë etj., do të punojnë deri në orën 22:30. Nga data 20.08.2021 pa dëshmi vaksinimi apo test PCR nuk lejohen klientët në asnjë nga ambientet hoteliere-gastronomike”, thuhet në njoftimin e kësaj ode.
Ndërkohë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka paralajmëruar konferencë për media.