Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme shqiptare konfirmon se një shqiptare ndodhet në Afganistan.
Ajo shpjegon se këtë informacion e ka marrë pak orë më parë, pasi vajza që punon në kompani të huaj në Afganistan ka kontaktuar për ndihmë Ambasadën shqiptare në Ankara.
Fillimisht MEPJ-ja tha se nuk ka asnjë shqiptar atje, por gjithesi me kalimin e orëve situata duket se ka ndryshuar.
Autoritetet shqiptare thonë se janë aktivizuar dhe po punojnë për nxjerrjen e saj nga Afganistani.
Presidenti afgan, Ashraf Ghani, u largua nga vendi të dielën, pasi talebanët morën nën kontroll pallatin presidencial në Kabul. Këta të fundit janë zotuar se do të vendosin paqe si dhe do të përmirësojnë jetën e qytetarëve.
Ndërkohë, forcat amerikane kanë nën kontroll vetëm aeroportin ndërkombëtar të Kabulit, ku ndodhen qindra afganë, të cilët kërkojnë të largohen nga vendi.
Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë të gatshme për të strehuar emigrantë nga Afganistani./ Euronews Albania