Zvicra ka evakuuar shtetasit e saj nga kryeqyteti afgan, Kabul, ndërsa po bëhen përpjekje për të nxjerrë kolegët e tyre afganë, transmeton albinfo.ch.
Thuhet se tre shtetas zviceranë janë evakuuar me sukses nga kryeqyteti Kabul dhe po bëhen përpjekje për të nxjerrë kolegët e tyre afganë, tha të hënën ministri i Jashtëm i Zvicrës.
“Ne ishim në gjendje të merrnim tre punonjësit tanë nga zyra SDC (Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim) në Kabul jashtë vendit me ndihmën e partnerëve tanë”, tha Ignazio Cassis në një cicërimë në Twitter.
Kombi i pasur alpin nuk ka ambasadë në Afganistan, por krahu i zhvillimit ndërkombëtar i Ministrisë së Jashtme, SDC, ka qenë prej kohësh i pranishëm në Kabul.
Vetëm disa ditë para se kryeqyteti afgan të binte në duart e talebanëve, Berna njoftoi se do të riatdhesojë tre punonjësit e mbetur zviceranë të SDC dhe tha se rreth 40 punonjësve lokalë të agjencisë dhe familjeve të tyre po u ofrohej një vizë humanitare për të ardhur në Zvicër.
“Ne po punojmë për të evakuuar stafin lokal në rrethanat më të vështira”, shkroi Cassis në Twitter të hënën.