Hekurudhat Federale Zvicerane (SBB) këshillojnë udhëtarët nga Zvicra të mos udhëtojnë në Gjermani deri më 13 gusht, pasi shumë lidhje janë pezulluar për shkak të një greve masive nga shoferët e trenave të Deutsche Bahn (DB), transmeton albinfo.ch.
E vetmja lidhje hekurudhore që mbetet në shërbim është linja Cyrih-Bazel-Hamburg.
Zëdhënësja e SBB-së, Ottavia Masserini, tha se situata aktuale është “shumë e paqëndrueshme”.
Udhëtarët që dëshirojnë të shtyjnë udhëtimin e tyre për shkak të grevës mund të përdorin biletën e tyre tashmë të blerë në një ditë tjetër, ose ta anulojnë atë falas deri të premten, më 20 gusht. Rezervimet e vendeve gjithashtu mund të ndryshohen pa pagesë. /Albinfo.ch