Ministria e Arsimit thotë se mësuesit nuk do të jenë të detyruar për t’u vaksinuar kundër COVID-19.
Mësuesve në disa shkolla të Tiranës u është dërguar një mesazh nga Zyra Vendore Arsimore, ku u thuhet se muajin shtator 2021 i gjithë stafi arsimor duhet të jetë i vaksinuar.
Të gjendur përballë këtij mesazhi, mësuesit janë ndjerë të detyruar për t’u vaksinuar, ndonëse injektimi i vaksinës kundër COVID-19 në Shqipëri nuk është i detyrueshëm.
Ministria e Arsimit, pyetur nga Euronews Albania, thotë se ky mesazh është keqinterpretuar nga personat që e kanë dërguar në shkolla, pasi asnjë mësues nuk është i detyruar të vaksinohet.
Vaksinimi i mësuesve nisi më 13 mars me AstraZeneca. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, janë vaksinuar mbi 40 mijë pedagogë, mësues dhe edukatorë.