Mediat franceze shkruajnë se një valë protestash ka shpërthyer kundër masave kufizuese që ka vendosur qeveria në përpjekje për të frenuar përhapjen e Covid-19, përcjell albinfo.ch.
Mijëra qytetarë kanë dalë në rrugët e qyteteve të Francës dhe kanë shkatërruar dy qendra vaksinimi, duke kundërshtuar rregullat e reja kundër Covid.
Theksohet se të dy qendrat e vaksinimit janë djegur nga protestuesit e zemëruar. Sipas BBC-së, kanë qenë rreth 100 mijë qytetarë që kanë dalë për të protestuar.
Qytetarët kundërshtojnë bërjen e vaksinës me detyrim për punonjësit shëndetësorë dhe lejen që duhet të ketë çdo qytetar për të hyrë në vende të ndryshme publike.
Kritikët kanë akuzuar Qeverinë e Presidentit Emmanuel Macron për shkeljen e lirive themelore dhe kanë njoftuar se protestat do të vazhdojnë.
Por, nga qeveria është thënë se masat e reja po merren në përpjekje për të frenuar përhapjen e variantit Delta, që po shkakton një rritje të shtrimeve në spitale.