Quhet Shefik Hyseni, është mërgimtari 46 vjeçar, nuk e dinte me orë të tëra nëse i kishte humbur vajzat e tij në përmbytjen që shkaktuan moti i ligët në Gjermani, përcjell albinfo.ch.
Mediat gjermane shkruajnë se babai shqiptar kishte frikë për jetën e Laureta (13) dhe Altuna (17), raporton gazeta BILD.
“Të mërkurën në mbrëmje vajzat e mia më thirrën dhe thanë se uji ishte tashmë në katin e parë!”, tha 46-vjeçari teksa kishte shkuar menjëherë në shtëpi. Kur arriti, nuk po mund të kalonte pasi që uji tashmë ishte kudo!
“Hera e fundit që fola me to ishte rreth orës 21:00. Pastaj lidhja u ndërpre”, tha Hyseni për BILD.
Ai priti tërë natën në një urë nga e cila mund të shihte shtëpinë e tij. Por, dje në orën 5.30 pasdite kuptoi se fëmijët kishin shpëtuar me helikopter.
“Ne vetëm kemi qarë në krahët e njeri –tjetrit. Tani duhet vetëm të shohim se çfarë ka mbetur nga shtëpia jonë”, përfundoi ai.
Ndryshe, 81 persona deri më tani kanë vdekur si pasojë e vërshimeve gjersa rreth 1500 konsiderohen të zhdukur.