Duke dashur të bënte një selfie në kështjellën e njohur Munot në Schaffhausen, një grua vuri jetën e saj në rrezik. Ajo është ngjitur në parapet dhe ka humbur drejtpeshimin, raporton sda. Një degë peme në hendek i ka shpëtuar jetën.
Sidoqoftë, rrëzimi i saj ka mundur të përfundojë me fatalitet. Lartësia nga e cila ka rënë, pra kulmi i kështjellës, ka qenë dhjetë metra. “Gruaja ishte shumë me fat,” citohet një kujdestare e kështjellës Munot nga gazeta “Schaffhauser Nachrichten”, transmeton albinfo.ch. “Ajo është ngjitur fort pas pemës”.
Fotografja e aksidentuar më në fund ishte në gjendje të zbriste vetë nga pema dhe pastaj është dërguar në spital. Rasti nuk do të ketë pasoja ligjore për të.
Këshilli i qytetit Schaffhausen tashmë kishte vendosur në pranverë të vitit 2020 të rishikonte masat e sigurisë në kështjellën Munot, përcjell albinfo.ch. Incidenti i cili ka ndodhur në fund të qershorit, do të merret parasysh në këtë kuadër.