Presidenti amerikan, Joe Biden, deklaroi se Uashingtoni mund të ashpërsojë reagimin e tij ndaj sulmeve kibernetike në dëm të infrastrukturës së Shteteve të Bashkuara, duke sulmuar serverët e hapësirës kibernetike prej nga vijnë këto agresione.
“Po”, u përgjigj ai për gazetarët, kur u pyet se cila do të ishte përgjigjja e duhur ndaj sulmeve të tilla.
Biden tha gjithashtu se pret njëfarë bashkëpunimi nga Moska, kur një komision i përbashkët ruso-amerikan për çështjet kibernetike do të takohet muajin e ardhshëm.
Biden foli për gazetarët teksa po ngjitej në bordin e “Air Force One” për të shkuar në shtëpinë e tij në Delauer, transmeton Euronews, përcjell Albinfo.ch.
Më herët gjatë së premtes, Biden tha se i kishte bërë presion homologut rus Putin që të vepronte kundër grupeve që kryejnë sulme të tilla, me qëllim zhvatjen.
Lloji i ri i agresioneve kibernetike, me hakerat që marrin peng të dhënat në këmbim të një pagese, po kthehet në një pengesë për bizneset që veprojnë në mbarë botën.
Kriminelët e kanë përdorur atë për të paralizuar mijëra organizata amerikane.
Shumica e bandave që veprojnë në këtë fushë thuhet nga autoritetet amerikane se veprojnë në Rusi, me dijeninë, në mos konsensusin e qeverisë vendase.