Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) u bëri thirrje vendeve të pasura që të ndihmojnë ato të varfra për t’i rezistuar dëmit ekonomik që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit.
Shefja e FMN-së, Kristalina Georgieva, paralajmëroi sot për një thellim të hendekut mes vendeve të pasura dhe të varfra në botë.
Ajo i bëri thirrje G20-ës (grupit të vendeve më të pasura të botës) që të ndërmarrin masa urgjente për të mos lejuar që vendet në zhvillim të mbesin prapa në qasjen në vaksina kundër COVID-19 dhe në rimëkëmbjen ekonomike.
“Vendet e varfra po përballen me një goditje të dyfishtë shkatërruese. Në njërën anë, duke humbur garën kundër virusit dhe, në anën tjetër, duke humbur investimet kryesore që ndihmojnë në vendosjen e bazës për rritjen ekonomike”, tha Georgieva.
Sipas saj, ky është një moment kritik që kërkon veprime urgjente nga G20-ta dhe politikëbërësit në gjithë botën.