Varianti indian i virusit, apo i njohur si ‘Delta’, ka arritur edhe në Kosovë.
Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar sot për dy raste me variantin Delta të koronavirusit.
Sipas njoftimit, mostrat janë testuar në Institutin e Virologjisë të Klinikës Universitare Charite në Berlin.
“Të dyja rastet kanë shfaqur simptoma, mirëpo tashmë janë shëruar dhe gjenden në shtëpi. Izolimi i tyre ka përfunduar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë, përcjell Albinfo.ch.
Varianti Delta, i identifikuar fillimisht në Indi, është klasifikuar si shqetësues nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Një variant veçohet si i tillë kur është më ngjitës, më vdekjeprurës ose më rezistent ndaj vaksinave.
Zyrtarë të OBSH-së kanë konfirmuar se vaksinat ekzistuese kundër koronavirusit “janë efektive” kundër variantit Delta.