Zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë thonë se Kosova ka kapacitete për një numër të tillë të vaksinimit por bëjnë thirrje për mbajtjen e masave parandaluese dhe në vaksinimin e mbi 60 për qind të popullsisë në mënyrë që të ulen rastet e rënda dhe vdekjet nga koronavirusi.
Autoritetet në Kosovë filluan këtë javë vaksinimin masiv kundër COVID-19. Deri më tash në Kosovë janë dhënë më shumë se 130 mijë doza të vaksinës, ndërsa Ministria e Shëndetësisë synon që të kryejë 320 mijë vaksinime brenda një muaji, raporton Zëri i Amerikës, përcjell albinfo.ch.
“Apelojmë prapë edhe njëherë që gjithë qytetarët të aplikojnë në platformën E-Kosova dhe paralelisht me ndarjen e termineve le të dinë që duhet të kenë apo respektojnë grupmoshën mbi 65 vjeç, njëkohësisht si kriter i dytë që kemi nëse është kategori e sëmurëve kronikë që e kemi pa dallim moshe gjithsesi duhet të dëshmoj me dokumentacionin bartës mbi shëndetin e personit në fjalë dhe si kategori të tretë që kemi mësimdhënësit, FSK-në dhe policinë e Kosovës”, tha Niman Bardhi, menaxher i qendrës për imunizim.
Zyrtarja për emergjenca në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Ismet Humolli, në një bisedë për Zërin e Amerikës, thotë se Kosova ka kapacitete për vaksinim masiv ndërsa thekson se për të ulur rrezikun nga COVID-19 duhet të vaksinohen një numër i madh i popullsisë.
“Për të minimizuar numrin e rasteve COVID-19 është e dëshirueshme që të arrihet një shkallë e përfshirjes prej 60 deri në 70 për qind të popullatës i cili është edhe synimi i ministrisë së shëndetësisë në këtë aspekt, pra po e potencoj faktin se vaksinat mund të parandalojnë format e rënda të COVID-19 që kjo i bie që parandalon numrin e të shtrirëve në spital dhe numrin e vdekjeve por me siguri se do të kemi edhe muajve dhe viteve në vazhdim pa ndërprerë raste të COVID-19 por nuk duhet të kemi në masë dhe numër të lartë siç kemi pasur shtatorin dhe tetorin e vitit të kaluar. Do të thotë vaksina kundër COVID-19 mbron nga format e rënda klinike të COVID-19”, tha ajo.
Javët e fundit në Kosovë është duke u shënuar rënie e madhe e të prekurve nga koronavirusi. Njohës të shëndetësisë thonë se Kosova mund të ketë arritur në stadin e imunizimit të popullsisë pa vaksinim.
Zonja Humolli thotë se shpreson të jetë arritur imuniteti i përgjithshëm.
“Sa do të zgjasë periudha e rasteve të ulëta varet prej masave parandaluese të cilat i ndërmerr një shtet, në rastin konkret është vendosja e maskës, distanca fizike dhe kësaj ju ka shtuar edhe vaksinimi. Është një indikacion jashtëzakonisht pozitiv që jo vetëm Kosova por edhe në shtetet e rajonit e kemi këtë fazën e numrit të rasteve të ulëta, ajo që është shumë e mirë është se jemi në javën e dytë që nuk kemi raste të rënda, do të thotë që janë të vendosura në qendrën e mjekimit intenziv”, tha ajo.
Zonja Humolli thotë se kombinimi i masave parandaluese dhe njëkohësisht edhe vaksinimi do të mund të futet në kontroll pandemia COVID-19.
“Definitivisht rreziku ekziston. E kemi rastin konkret të Anglisë ku pas vaksinimit të numrit të konsiderueshëm të popullatës veç se ka filluar të paraqitet variant tjetër dhe të rritet numri i rasteve por e mira e krejt kësaj është që numri i vdekjeve ka ra. Qysh në fillim të pandemisë është biseduar dhe është ndarë informata që mundësia e paraqitjes së COVID-19 në mënyrë ciklike dhe gjatë viteve të ardhshme ekziston. Në qoftë se bëjmë një krahasim me gripin do të jetë po e njëjta. Kështu ekziston rreziku por e mira e kësaj është që numri i vdekjeve të zvogëlohet”, tha ajo.
Deri tash në Kosovë nga COVID-19 janë prekur më shumë se 107 mijë persona, 2 mijë e 250 prej të cilëve kanë humbur jetën nga pasojat e kësaj sëmundjeje. Ndërkaq të shëruar deri tash janë shpallur më shumë se 105 mijë persona.