Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kërkoi Qeverisë së Kosovës shkarkimin e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Kërkesën në emër të kësaj shoqate e ka bërë kryetari i këtij këshilli, Xhevdet Qeriqi.
“I jam drejtuar me kërkesën që të ndërmarrë hapa ndaj ministres Gërvalla për deklaratat e saj, dhe pres që të marrë përgjigje nga ana e tij”, ka deklaruar ai.
Arsyeja që e ka shtyrë Qeriqin të ndërmarrë këtë veprim, sipas tij, është se ministrja Gërvalla që nga emërimi në pozitë ka bërë akuza të pavërteta ndaj UÇK-së.
“E kemi parë prej se e ka marrë detyrën dhe paraqitjen e saj në Këshillin e Sigurimit, ku vendin tonë e paraqiti si vend kriminal, e detyra e kryediplomates është që ta paraqesë vendin sa më mirë”.