Numri i rasteve të koronavirusit në Gjermani ka mbërritur në më shumë se 3 milionë, e pohuar kjo nga Instituti për Kontrollin e Sëmundjeve Infektive, Robert Koch. Totali i vdekjeve nga Covid 19 në vend tani llogaritet në 78.452.
Javën që shkoi autoritetet regjistruan një nivel prej 136.4 të infektuarish për 100.000 banorë. Në periudhën e fundit, Gjermania ka shënuar rritje të rasteve të të infektuarve me koronavirus, pavarësisht se vendet kulturore, restorantet dhe objektet e tjera janë të mbyllura për muaj të tërë.
Autoritetet shëndetësore paralajmëruan të premten se spitalet mund të mbingarkohen pa masa më të ashpra kombëtare për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Që kur u regjistruan infektimet e para në Bavari në fundin e janarit 2020, Gjermania është përballur me karantina, ndalim të lëvizjes e fajësim të autoriteteve, e tani po merret në konsideratë mundësia e një ndalimi të qarkullimit në nivel kombëtar.
Shanset e rihapjes së shpejtë të vendit janë të pakta, pasi incidenca mbetet e lartë.