Jeton që 34 vjet në Zvicër, por kjo nuk e bënë atë të lë anash votimin për zgjedhje në vendlindje. Mërgimtari nga fshati Bërgacë i komunës së Kaçanikut, Sherif Tupani i cili jeton në Fribourg të Zvicrës ka arritur në Kosovë sot më 14 Shkurt, ditën kur po mbahen Zgjedhjet Parlamentare në Kosovë.
“Është hera e tretë që po vi të votoj në Kosovë. Sot kemi ardhur shkaku i votave, me vizituar familjen dhe vendin. Jemi familje e madhe, prej 47 viteve disa kanë ardhur dj disa sot, e të tjerët kanë shfrytëzuar votën atje”, tha ai për albinfo.ch, në Aeroportin e Prishtinës.

Ndërsa ekipi i albinfo.ch e përcjelli Sherif Tupanin me familjarët e tjerë që kishin ardhur së bashku në Kosovë për të votuar biseda me ata vazhdoi edhe pas votimit në qendrën e votimit “7 Shtatori” në Bërgacë të Kaçanikut.
Pas votimit Sherifi u shpreh se po qëndrojnë optimist për një politikë më të mirë. Ndërsa shtoi se diaspora është promotor i Kosovës. “Roli i diasporës ka qenë dhe do të jetë promotor i Kosovës”, kështu deklaroi ai.
Ndërkaq, vëllai i tij, Besim Tupani po ashtu me banim në Fribourg të Zvicrës tha se diasporës nuk i është dhënë hapësirë e mjaftueshme deri tani nga partitë politike në Kosovë. “Deri në këto zgjedhje nuk i është dhënë hapësirë dhe vëmendje e mjaftueshme diasporës, presim që tash e tutje më shumë”, u shpreh ai. Po ashtu i njëjti tregoi se qëllimi për të cilin kishte ardhur nga Zvicra ishte për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.

Ndryshe nga dy të parët, dikush erdhi në Kosovë për të votuar për herë të parë. Arlinda Tupani i tha albinfo.ch se votimi për të është diçka e re dhe interesante. “Kam ardhur për të dy, për familje dhe për zgjedhje. Është hera e parë që do të votoj dhe kam zgjedhur të votoj në Kosovë. Është diçka e re dhe duket interesante për mua”, tha ajo në intervistën e saj për albinfo.ch.
Pas votimit familja Tupani u takuan me familjarët e tyre e që me disa nga ta rastësisht u takuan në qendrën e votimit. Megjithatë, të gjithë nga ta arritën të votojnë dhe ta vendosin votën e tyre në kutitë e votimit në vendlindje.
Sipas njoftimit të KQZ-së, 43 mijë e 477 pako me fletëvotime janë dërguar me postë nga diaspora, nga qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit. Ndërsa procesi i votimit përfundoi sot në orën 19:00.
