Presidenti i zgjedhur Joe Biden do të bëjë betimin si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mesditën e së mërkurës, duke marrë drejtimin e vendit në një kohë përçarjesh të thella dhe krizash të vështira.
Joe Biden mori pjesë të mërkurën paradite në shërbesa fetare në Katedralen e Shën Mateos në Uashington, pak orë para ceremonisë së inaugurimit. Demokratët Nancy Pelosi dhe Chuck Schumer, si dhe republikanët Mitch McConnell dhe Kevin McCarthy shoqëruan presidentin e zgjedhur në meshë.
Presidenti në largim, Donald Trump, ishte larguar nga Shtëpia e Bardhë dhe po udhëtonte drejt Floridës. Donald Trump është udhëheqësi i parë amerikan në më shumë se 150 vjet që nuk merr pjesë në inaugurimin e pasardhësit të tij.
Para marrjes së detyrës, Biden dha një mesazh uniteti, posaçërisht për nevojën e bashkimit për t’u përballur me sfidat e shkaktuara nga pandemia që u mori jetën 400 mijë vetave në Shtetet e Bashkuara dhe shkaktoi shumë vështirësi ekonomike.
https://www.youtube.com/watch?v=fWQseRfNm4g&feature=emb_logo