Vdekja e një fëmije të vogël në fund të vitit që shkoi, në spitalin e fëmijëve në St. Gallen në Zvicrën Lindore ka ndodhur për shkak të një infeksioni serioz bakterial të traktit respirator.
Nuk jepet ndonjë informacion më i hollësishëm për moshën e të ndjerit, përveç faktit se ai përfshihet në kategorinë e moshave nga 0 deri 9 vjeç.
Infeksioni me koronavirus nuk ishte shkaku i drejtpërdrejtë i vdekjes së tij, shkruan srf.ch. Kjo u bë e ditur sot nga Kancelaria e Shtetit e Kantonit St. Gallen, transmeton albinfo.ch.
Vogëlushi ishte testuar dhe kishte rezultuar pozitiv për koronavirusin. Por infeksioni i koronës “më vonë kaloi në një infeksion serioz bakterial të traktit respirator, i cili çoi në vdekjen tragjike të vogëlushit”, thuhet në njoftim.
Ekzaminimet e mëtejshme histologjike do të zgjasin edhe disa javë, përcjell albinfo.ch. Për shkak të mbrojtjes së privatësisë, nuk do të jepet asnjë informacion i mëtejshëm mbi rastin.