Që nga fillimi i pandemisë, koronavirusi ka qenë shpesh fatal, veçanërisht tek të moshuarit. Por, vdekjet e konfirmuara së fundi nga laboratori gjatë pushimeve janë alarmante: Midis 21 dhe 27 Dhjetorit të vitit tashmë të kaluar, Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG) ka regjistruar vdekjen e një fëmije të gjinisë mashkullore pa i mbushur 10 vjet dhe të një të riu në kategorinë 20 deri 29 vjeç.
BAG konfirmon vdekjet për 20 minuten. “Në dhjetor, BAG ka raportouar një rast vdekjeje në të një personi të moshës 0-9 vjet nga kantoni i St. Gallenit dhe të një tjetri të moshës mes 20-29 vjet nga kantoni i Cyrihut”, shkruan zëdhënësja e BAG, Katrin Holenstein, transmeton albinfo.ch. Kantonet janë përgjegjëse për informacione të mëtejshme.
Sa më e lartë incidenca, aq më e lartë është probabiliteti i vdekjes
Për shkak të numrit të ulët absolut të vdekjeve të pacientëve të rinj, sipas Holenstein, tendenca për të përgjithësuar vdekjet nga korona tek të rinjtë nuk është e drejtë. “Por, marrë në përgjithësi, megjithatë, sa më e lartë të jetë incidenca në popullatë dhe sa më gjatë që incidenca të mbetet e lartë, aq më të shumta janë gjasat e infektimit. Po kjo rrjedhimisht vlen edhe për të rinjtë, sa më i lartë pra të jetë numri i rasteve, aq më e lartë është edhe gjasa e vdekjes”.
Deri më tani, raportet e vdekjeve të të rinjve nga koronavirusi në Zvicër kanë qenë të kufizuara në një të rast të vetëm, transmeton albinfo.ch. Bëhet fjalë për foshnjë nga kantoni i Aargau që ka vdekur në maj, pasi kishte ardhur nga Mqedonia. Ai vuante nga një sëmundje serioze neurologjike dhe ishte testuar pozitivisht për koronavirusin.
Por megjithatë është ende e paqartë nëse vogëlushi vdiq si pasojë e virusit.