Zyrtarët nga Britania e Madhe kanë bërë të ditur aprovimin e vaksinës anti-COVID të Universitetit të Oxfordit dhe AstraZenecas, transmeton albinfo.ch.
Qeveria britanike së fundmi ka marrë rekomandim nga agjencia e ilaçeve për miratimin e kësaj vaksine për përdorim kundër COVID-19.
Duhet theksuar se Britania e Madhe ka porositur rreth 100 milionë doza të vaksinës së prodhuesit AstraZeneca – të mjaftueshme për të vaksinuar 50 milionë njerëz.
Sipas raportit, thuhet se miratimi nënkupton që vaksina është e sigurt dhe efektive. Ajo ishte krijuar në muajt e parë të vitit 2020, ndërsa u testua në muajin prill në fazën fillestare.
Kjo bëhet vaksina e dytë e miratuar në Britani të Madhe pas miratimit të vaksinës Pfizer/BioNTech në dhjetor.
Më shumë se 600 mijë njerëz në Britani tashmë janë vaksinuar me vaksinën e parë.
Përparësia e vaksinës së Oxfordit është se mund të ruhet në frigoriferë standardë, për dallim nga ajo e Pfizerit që kërkon temperaturë -70 gradë Celsius.
Vaksinën të parët do ta marrin grupet e të moshuarve dhe punëtorët shëndetësorë.
Vlen të cekët se deri tash në Britani të Madhe janë regjistruar rreth 2.4 milionë të infektuar me koronavirus, ndërsa 71 mijë prej tyre kanë vdekur.