Pothuajse 10 muaj pasi pacienti i parë italian doli pozitiv për koronavirus, Italia të dielën vaksinoi banorët e parë kundër COVID-19.
Tre punonjës shëndetësorë në spitalin Spallanzani të Romës u vaksinuan pak para orës 07:00 me vaksinën e zhvilluar nga Pfizer dhe BioNTech, tha një deklaratë nga komisioneri për epideminë Domenico Arcuri.
“Vaksina shkoi shumë mirë dhe ishte një moment emocionues dhe historik”, tha infermierja 29-vjeçare Claudia Alivernini për televizionin shtetëror RAINEWS24.
Italia të enjten u bë vendi i tetë në botë që tejkalon 2 milionë raste të regjistruara zyrtarisht. Ajo ka raportuar 70,909 vdekje, numri më i lartë në Evropë dhe i pesti më i lartë në botë. Vaksina do të jetë falas dhe punonjësit shëndetësorë dhe të moshuarit do të jenë të parët që do të vaksinohen, shkruan “Reuters”, përcjell tutje albinfo.ch.