Një mutacion i ri koronavirusit nga Afrika e Jugut është zbuluar në Britaninë e Madhe, i cili thuhet se është edhe më ngjitës sesa varianti i ri që është identifikuar tashmë ditët e fundit.
Ky mutacion i fundit është shumë shqetësues sepse është edhe më ngjitës, ka thënë të mërkurën ministri britanik i shëndetësisë Matt Hancock, shkruajnë mediat zvicerane duke iu referuar atyre britanike.
Varianti deri më tani i fundit i virusit është zbuluar në dy raste në Britaninë e Madhe, transmeton albinfo.ch. Qeveria në Londër lidhur me këtë ka vendosur kufizime të udhëtimit në Afrikën e Jugut me efekt të menjëhershëm.
Varianti i fundit ka ndryshim të dukshëm edhe nga varianti i ri që ishte zbuluar më parë kryesisht në Anglinë jug-lindore, është shprehur Hancock.
Të dy pacientët e infektuar me mutacionin e fundit, si dhe kontaktet e tyre të ngushta, janë vendosur tashmë në karantinë.
Qeveria në Londër gjithashtu u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që kanë qenë në kontakt të ngushtë me njerëzit që kanë qenë në Afrikën e Jugut në dy javët e fundit që të izolohen vullnetarisht.
Studiuesit në Afrikën e Jugut gjithashtu kanë vërtetuar se mutacioni i fundit në virus duket se po përhapet edhe më shpejt se ai i mëparshmi, i cili kishte shkaktuar kufizime të udhëtimit me shumë vende.
Të gjitha zbulimet e deritanishme udhëzojnë në këtë drejtim, thotë Tulio de Oliveira, drejtor i institutit kërkimor Krisp në Universitetin e Kwazulu-Natal.