Mbrëmë një sulm me raketa u krye ndaj Ambasadës së SHBA-së në Zonën e Gjelbër në Bagdad, kryeqytetin e Irakut, përcjell albinfo.ch.
Thuhet se tri raketa janë lëshuar në drejtim të Ambasadës, ku fatmirësisht nuk ka pasur njerëz të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Ambasada amerikane u kundërpërgjigj, duke aktivizuar sistemin mbrojtës antiraketë C-RAM, i cili u ngrit këtë verë në mënyrë që të zmbrapsë përpjekjet gjithnjë e më të shpeshta për të goditur misionin diplomatik amerikan në kryeqytetin e Irakut.
Sulmi shkaktoi frikë për shkak të trazirave në prag të përvjetorit të vrasjes së gjeneralit Qasim Suleimani, komandanti i Gardës Revolucionare Iraniane, i cili u vra më 3 janar të këtij viti, jo shumë larg aeroportit të Bagdadit.
Nga frika e hakmarrjes përpara përvjetorit të parë të vrasjes së Suleimanit, Shtetet e Bashkuara urdhëruan një reduktim të numrit të punonjësve në ambasadën në Bagdad.
Frekuenca e sulmeve me raketa kundër Shteteve të Bashkuara pas vrasjes së Suleimanit shkaktoi shqetësim të administratës Donald Trump dhe akuza ndaj grupeve të armatosura shiite proiraniane.