Asnjë kryeministër i përgjegjshëm nuk do të injoronte shifrat që paralajmërojnë se vdekjet mund të shkojnë edhe në mijëra në ditë, deklaroi kryeministri britanik, Boris Johnson, teksa lajmëronte karantinën e re.
Në Lodi të Italisë në muajin prill punonjësit e shëndetësisë u përballën me një situatë të ngjashme, kur gjendeshin përballë vendimit të tmerrshëm se kush duhet të kishte prioritetin për kujdes shëndetësor. Marsin e këtij viti, një grup mjekësh dhe akademikësh nga e gjithë bota publikuan një përmbledhje udhëzimesh etike në New England Journal of Medicine (NEJM), ku nënvizohej mënyra se si të përdoreshin me kujdes burimet gjatë pandemisë, shkruan Tch, përcjell Albinfo.ch.
Një prej rekomandimeve të dhëna nga autorët asokohe ishte se qasja e zakonshme e trajtimit: kush vjen i pari, shërbehet i pari, nuk duhet aplikuar, por t’u jepej prioritet të sëmurëve më rëndë që janë të rinj dhe që kanë më pak probleme të tjera shëndetësore shoqëruese.