Ndeshja kualifikuese për Ligën e Evropës mes Lincoln dhe Prishtinës është anuluar.
Vendimi është marrë nga autoritetet e Gjibraltarit, aty ku është dashur të zhvillohet ndeshja.
Kësisoj, rasti kalon në duart e Komitetit Disiplinor të institucionit drejtues të futbollit evropian, UEFA, përcjell albinfo.ch.
Prishtinës para ndeshjes i dolën tetë futbollistë pozitivë.
Lojtarët bardhekaltër të prekur nga koronavirusi janë: Armend Thaqi, Lorik Boshnjaku, Muharrem Jashari, Diar Miftaraj, Alban Muqiqi, Eglant Haxho, Leotrim Bekteshi dhe Besnik Krasniqi.
Si për çudi, në Kosovë, të gjithë ishin negativë nga testimet e kryera nga IKSHP.
Prishtina po priste me ankth vendimin e UEFA-s për këtë rast, pasi duke marrë në konsideratë atë që ndodhi me Dritën e Gjilanit, që humbi 3:0 takimin Linfield në paraeliminatorët e Championsit, frika është e madhe se aventura në Europë e skuadrës së drejtuar nga Armend Dallku do të mbyllet ende pa nisur.
Tashmë pritet se çfarë vendimi do të marrë UEFA për këtë ndeshje.