Pas një pune intensive disamujore të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Mynih, produkteve të mishit të shpezëve të prodhuara në Kosovë tani u është hapur porta e tregut 500-milionësh të Bashkimit Evropian, shkruan albinfo.ch.
Procedura për pranimin e Kosovës në listën e vendeve që mund të eksportojnë këto produkte në BE kishte stagnuar në margjinat e Komisionit Evropian, edhe pse të gjitha kushtet e kërkuara ishin plotësuar nga Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit të Kosovës.
Për përshpejtimin e këtyre proceseve tekniko-administrative, Konsullata e Kosovës në Mynih kontaktoi dhe angazhoi eurodeputetët gjermanë z. Markus Ferber dhe znj. Prof. Dr. Angelika Niebler, të cilët nuk ngurruan të përkrahin Kosovën edhe në këtë pikë. /Albinfo.ch