Pasi mbeti në Bundesligë, Werder Bremeni i kërkon 25 deri në 30 milionë euro për kartonin e yllit kosovar, të cilin më së shumti e pëlqen Leipzigu.
Werder Bremeni është i gatshëm ta shesë Milot Rashicën.
Këtë e ka thënë edhe drejtori sportiv i klubit gjerman, Franck Baumann.
“Nëse një klub shpreh interesim specifik, do të ulemi dhe do ta gjejmë një zgjidhje”, kishte thënë ai.
Mirëpo, klubi gjerman tash është trimëruar, pasi e siguroi mbetjen në Bundesligë, shkruan tabloidi gjerman “Bild”.
Werderi i kërkon së paku 30 milionë euro për yllin kosovar, i cili ka kontratë me këtë klub deri në vitin 2022.
Interesimin më serioz për 24-vjeçarin e ka shfaqur Leipzigu, përcjell albinfo.ch
Mirëpo, ky klub shpresonte që Werderi do të binte nga liga dhe në këtë mënyrë do të mund ta blinte Rashicën për 15 milionë euro.
Leipzigu e sheh Rashicën si zëvendësues ideal të Timo Wernerit, të cilin e shiti së fundmi në Chelsea.
E tash gjërat janë komplikuar, pasi çmimi prej 30 milionë eurosh po duket i lartë nga klubet e interesuara për Rashicën.
Futbollistin vushtrrias në Gjermani e duan Leipzigu, Borussia Dortmundi e Hertha Berlini.
Në Itali, atë e pëlqejnë Milani, Lazio e Napoli.
Kurse, në Angli, interesim për futbollistin ofenziv kanë shprehur Liverpooli, Aston Villa, Wolverhamptoni, West Ham Unitedi e Brightoni.
Edhe vetë ish-futbollisti i Vushtrrisë dhe Vitesses e ka shprehur dëshirën për t’u larguar nga Werderi.
Ai i ka realizuar 11 gola këtë sezon me klubin gjerman, ku ishte protagonist në dy sezonet e fundit.