Emisari amerikan për dialogun, Richard Grenell, ka konfirmuar anulimin e takimit të 27 qershorit në Uashington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai në një postim në Twitter ka falënderuar kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, për konfirmimin e anulimit të vizitës së tij, pas asaj të presidentit Hashim Thaçi dje.
“Faleminderit, kryeministër Hoti. Ne e kuptojmë vendimin tuaj dhe mezi presim të ricaktojmë takimin së shpejti”, ka shkruar Grenell.
Më herët, kryeministri Hoti tha se për shkak të zhvillimeve të reja në Prishtinë, si rezultat i propozim-aktakuzës të paraqitur nga Prokuroria e Specializuar, nuk do të marrë pjesë në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë, përcjell albinfo.ch.