Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka reaguar ndaj ndalimit të fluturimeve në Aeroportin e Prishtinës.
Veseli shkruan se pavarësisht kërkesave për respektim të masave ndaj pandemisë Covid-19, nevoja e mërgimtarëve për të vizituar Kosovën duhet të jetë prioritet.
”Moslejimi i fluturimeve në Aeroportin e Prishtinës sa është absurd, është po aq edhe shqetësues për diasporën tonë, por edhe për të gjithë ne.
Masat dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore duhet të respektohen, por edhe nevoja e bashkatdhetarëve tanë që të vizitojnë vendin e tyre duhet të jetë prioritet dhe nuk duhet e as nuk bën të cenohet nga asnjëri prej nesh.
U bëj thirrje autoriteteve vendimmarrëse që menjëherë të reflektojnë, t’i krijojnë kushtet që diaspora jonë të gëzojë të drejtën e ardhjes në Kosovë përmes linjave ajrore. Ata vijnë nga vende që e menaxhojnë mirë pandeminë.
Diaspora nuk mund të vuajë nga paaftësia e menaxhimit të pandemisë, ata nuk janë fajtorët për këtë”, përcjell Albinfo.ch.