Prej sot hyjnë në fuqi rregullat e reja, sipas të cilave kush shpreh vullnetin për të hyrë në Britaninë e Madhe, duhet të shkojë në izolim 14-ditor, përcjell albinfo.ch.
Kush mbërrin me avion, traget ose tren, përfshirë shtetasit në Mbretërinë e Bashkuar do të duhet të japë një adresë, ku do të izolohet dhe nëse nuk zbatojnë rregullat, do të përballen me gjobë deri në 1.000 paundë.
Ministrja e Punëve të Brendshme, Priti Patel, tha se ligji është miratuar që të parandalohet vala e re e koronavirusit. Megjithatë disa biznese paralajmërojnë se do të goditen shumë rëndë nga rregullat.
Ka përjashtime për punëtorët në disa industri, si dhe për punonjësit mjekësorë në disa sektorë.
“Shkenca është e qartë, nëse e kufizojmë rrezikun nga hyrja e rasteve të reja nga jashtë mund të ndihmojmë të ndalohet vala e re katastrofale”, tha Patel. /Albinfo.ch