Federata zvicerane e skive ka njoftuar se një nga vendpushimet më të famshme të skive ku do të zhvillohen garat e Kupës Botërore 2021/2022 (Ski World Cup) nuk do të figurojë më në kalendarin e vitit të ardhshëm. Këto janë garat e skive alpine në Wengen, Lauberhorn, të cilat kanë një traditë 90-vjeçare të këtij sporti. Federata Zvicerane përmendi mosmarrëveshjet financiare me organizatorët vendës si arsye për anulimin e garës.
“Ne nuk mund të përmbushim kërkesat financiare të Komitetit Organizativ në Wengen dhe kjo është arsyeja pse ne planifikojmë ta heqim këtë garë nga kalendari i garave të Kupës së Botës (Ski World Cup). Është e rëndësishme për ne që të sigurojmë gara tërheqëse në Kupën e Botës në Zvicër, përfshirë ato në Lauberhorn, por në kushte të mira financiare, tha Federata e Skive Zvicerane në një deklaratë, përcjell Albinfo.ch.
Garat e skive në Wengen janë mbajtur që nga viti 1930, pista prej 4.5 km është aktualisht më e gjata në Kupën e Botës dhe ka arritur shpejtësi rekord në kampionatin e skive.