Skip to content

Italia me numrin më të ulët të të infektuarve me koronavirus që nga 10 marsi

Italia ka raportuar 236 vdekje që kanë ndërlidhshmëri me koronavirusin në 24 orët e fundit, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë italiane në konferencën e përditshme të martën.

Kështu, shifra totale e viktimave nga sëmundja Covid-19 në vend ka arritur në 29,315. Italia tashmë radhitet në vendin e tretë në listën e shteteve për nga numri i vdekjeve të shkaktuara nga virusi pandemik. Britania e Madhe, me rastet e paraqitura të martën, ka arritur numrin e viktimave në rreth 30 mijë, shkruan lajmi.net.

Përgjatë konferencës së përditshme të përditësimit të informacioneve statistikore për koronavirusin, u bë e ditur se shteti evropian në periudhën e fundit një-ditore ka raportuar 1,075 raste. Kjo është shifra më e ulët e infeksioneve që janë paraqitur në Itali që prej 10 marsit, periudhës kur vendi zgjeroi masat e emergjencës së shëndetit publik. Bilanci total i të infektuarve ka arritur në 213,013 të diagnostikuar me virusin ngjitës.

Numri i rasteve aktive në shtetin e Gadishullit Apenin tanimë ka arritur në 98,467. Vetëm 1,427 janë në gjendje kritike, të cilët po trajtohen në repartet e kujdesit intenziv në spitalet italiane.

Italia që nga dita e djeshme ka relaksuar masat e ndërmarra për koronavirus. Ajo tashmë ka lejuar shërbimin “takeaway” në restorante, në një përpjekje që të rivitalizojë ekonominë në vend. Italianët gjithashtu janë lejuar të vizitojnë të afërmit e tyre, për herë të parë pas dy muajsh izolim.

Bilanci total i të infektuarve me virusin tejet ngjitës në botë ka arritur në 3,687,676, derisa janë raportuar 255,138 vdekje, sipas të dhënave të platformës Worldometer. I njëjti burim, i cili i përditëson të dhënat në kohë reale, bën me dije se 1,220,630 pacientë janë rikuperuar nga sëmundja, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.