Nga mesi i marsit Vjena hoqi zonat e parkimit afatshkurtra. Kjo kishte për qëllim të ndihmonte të gjithë ata që përkundër krizës së koronavirusit, duhej të vazhdonin të punonin për të furnizuar me gjërat e nevojshme qytetarët e Vjenës, shkruan heute, përcjell Albinfo Austria.
Qeveria e qytetit të Vjenës po ashtu kishte ofruar hapësira parkimi të lira në garazhet e Vjenës, të cilat e bënin më të lehtë gjetjen e një hapësire parkimi.
Mirëpo, pesë javë më vonë, pra nga 27 prill, zonat e parkimit afatshkurtër do të hyjnë në fuqi përsëri.
Kjo do të thotë se shoferët duhet të kenë kujdes në kohëzgjatjen e parkimit dhe qëndrimit, në të kundërtën mund të pasojnë gjobat nga policët që kontrollojnë parkingjet.
Po ashtu edhe oferta e hapësirave të parkimit me zbritje përfundon të hënën. Për 30 mijë vende që ishin në dispozicion në kohën e krizës së koronavirusit me një çmim prej pesë eurosh në ditë, rikthehen sërish tarifat e rregullta.
Qytetet si Graz, Innsbruck, Klagenfurt, Linz dhe disa komuna të tjera më të vogla, zonat e parkimeve afatshkurtra do të hyjnë në fuqi nga data 4 maj.