Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, nuk kishte kushte që të zhvillohej xhiroja e 9-të dhe e fundit për këtë sezon në këtë ligë.
„Ekipi i dytë i Arbërisë pas 8-të xhirove të zhvilluara ishte në vendin e dytë. Për t‘u shpallur kampion i nevojiteshin vetëm edhe 1,5 pikë nga 6 të mundshme, gjë që ishte më se e realizueshme“, thuhet në një kumtesë të klubit „Arbëria“, njofton Albinfo Austria.
Në lidhje me xhiron e mbetur, Federata e Shahut të Vjenës vendosi që të gjitha ndeshjet e mbetura të regjistrohen me rezultat të barabartë 3:3.
„Në këtë mënyrë, pas ekipit të parë të klubit të shahut Arbëria, i cili disa javë më parë u shpall kampion në ligën e dytë të Vjenës, edhe ekipi i dytë arriti të fitojë kampionatin në ligën përkatëse. Kështu që nga sezoni i ardhshëm të dy ekipet do të luajnë një rang më lartë, në ligën e parë të Vjenës (ekipi i parë) dhe në ligën e tretë (ekipi i dytë)“, bëhet e ditur në kumtesë.
Pas organizimit të turneut ndërkombëtar ‘‘Arbëria 1” në Vjenë në tetor të vitit të kaluar, e në të cilin morën pjesë 57 shahistë e shahiste nga 14 kombe të botës, klubi i parë shqiptar i shahut në diasporë po përmbyll kështu me sukses të shkëlqyeshëm këtë sezone sportiv.