Masat reduktuese të përcaktuara në dekretin ekonomik “Cura Italia” kanë të bëjnë dhe me procesin e lejeve të qëndrimit për emigrantët dhe të praktikave për të marrë nënshtetësinë italiane, shkruan oranews.
Departamenti për të Drejtat Civile e Emigracionin, në Ministrinë e Brendshme italiane, pak orë më parë ka publikuar urdhëresën e detajuar, ku informon se ka pezulluar përkohësisht të gjitha afatet kohore të praktikave të emigrantëve.
Për të gjithë ata emigrantë që u skadon afati kohor i lejes së qëndrimit nga data 31 janar 2020 e deri në 15 prill 2020, leja e qëndrimit u zgjatet deri më datë 15 qershor 2020.
Këta emigrantë me leje qëndrimi në skadencë mund të prezantojnë kërkesën e rinovimit të saj vetëm pas datës 15 qershor 2020.
Deri më 15 qershor 2020 dokumenti i tyre, edhe pse me datë të skaduar, është i vlefshëm.
Në mënyrë të detajuar pezullohen praktikat për;
– Leje qëndrimet për punë sezonale,
– Leje qëndrimet për punonjësit emigrantë të kualifikuar, për rastet e veçanta me motive hulumtime apo transferimet mes koorporatash.
– Konvertimi i lejeve të qëndrimit nga motive studimi në motive punësimi, apo nga punë sezonale në punë jo sezonale.
– Pezullohet lëshimi i lejeve të qëndrimit afatgjatë,
– Lejet e qëndrimit për bashkim familjar,
– Kërkesat për marrjen e nënshtetësisë për motive martese apo vendbanimi,
– Pezullohet dhënia e përfitimeve për viktimat e terrorizmit,
– Pezullohet rekuperimi i të ardhurave për fëmijët me prindër me kombësi të ndryshme, jashtë territorit kombëtar.