Shumica e madhe e popullatës zvicerane është duke respektuar kodin e ri të sjelljes, të vendosur nga shteti për të luftuar përhapjen e koronavirusit. Përjashtimet janë të rralla, thonë autoritetet në vend, shkruan srf.ch.
Drejtori i sigurisë i qytetit të Bernës, për shembull, thotë se 99 për qind e njerëzve e kanë kuptuar mesazhin, transmeton albinfo.ch. Vetëm në disa raste policisë i është dashur të shqiptonte gjoba. Të kujtojmë: sipas kodit të ri të sjelljes, grupet prej më shumë se 5 personave që kapen duke lëvizur në ambiente publike, dënohen me gjobë prej 100 frangash për person.
Ndërkaq, ndryshon puna në kantonin e Cyrihut: Sipas policisë, ajo nuk ka shqiptuar asnjë gjobë, transmeton albinfo.ch. Por, sipas saj, i janë përcjellë 140 raporte lidhur me shkeljen e kodit në fjalë. Rreth 100 prej tyre kanë të bëjnë me të rinj që duket të mos kenë respektuar rregullat e mbajtjes së distancës ose numrin maksimal të njerëzve, thotë policia.