Kërcënimi nga përhapja e koronavirusit ka mobilizuar edhe punëtorët e ndërtimit dhe sindikalistët në Zvicër. Kështu, punëtorët e ndërtimit në Kantonin e Cyrihut kanë kërkuar sot që të mbyllen të gjitha kantieret e ndërtimit në kanton, përcjell albinfo.ch. Kjo, për faktin se në kushtet ekzistuese, nuk mund të përmbushen rregullat e higjienës në barrakat e ngushta ku zakonisht banojnë punëtorët e ndërtimit.
Në një peticion të tyre, punëtorët e ndërtimit që punojnë në kantiere ndërtimi në kantonin e Cyrihut i kërkojnë Qeverisë së kantonit që të mbyllë kantieret dhe të garantojë pagesën e pagave për punëtorët në fjalë. Këtë njoftim e ka bërë në mëngjesin e sotëm sindikata Unia Cyrih-Schaffhausen.
Punëtorët në fjalë kanë ankesa se masat e përcaktuara mbrojtëse për të parandaluar përhapjen e koronavirusit nuk po respektohen, transmeton albinfo.ch. Nuk ka ambiente sanitare, asnjë lokal dezinfektimi ndërsa barakat janë të mbipopulluara.
Unia është në dijeni për masat e marra deri më tani nga Këshilli Federal dhe ajo thotë se 10 miliardë frangat që qeveria e vendit i ka zotuar, nuk do të mjaftojnë më.