Duket se sukseset e shkollës shqipe në Zvicër nuk kanë të ndalur. Nga javë në javë jo vetëm që rritet numri i nxënësve nëpër pikat shkollore ku ekzistojnë, por edhe vazhdimisht hapen shkolla të reja shqipe, të cilat përfshijnë një shtrirje më të gjerë të shkollave shqipe jo vetëm në Kantonin e Cyrihut, por edhe në kantonet e tjera, shkruan albinfo.ch.
Ky vit shkollor pa dyshim është shembulli më mirë se si aty ku bëhen bashkë mësuesit dhe prindërit nuk mungon edhe rrita e shkollë shqipe.
Si zakonisht çdo festë e 7 Marsit sjell në familjet shqiptare gëzim dhe dashuri për gjuhën e të parëve tanë – gjuhën shqipe.
Prandaj me datën 7 Mars përkujtojmë të gjithë ata “që u dogjën si qiriu” në shërbim të gjuhës, shkollës dhe kulturës shqiptare.
Këtë 7 Mars 2020, e festojmë me suksese të reja, me hapjen e dhjetëra e dhjetëra shkollave të reja. Këtyre shkollave iu bashkëngjitet edhe Shkolla shqipe në qytetin e Schaffhausen-it.
Dhjetëra nxënës kanë filluar mësimin në gjuhën shqipe.
Dhe ky lajm është gëzim i madh për të gjithë ata të cilët i ndjekin mësimet në gjuhën amtare te mësuesi Isuf Ismaili. /Albinfo.ch.

