Të gjithë ata që luajnë futboll në ndonjërën nga ligat amatore në Zvicër mund t`i kthehen fushës së lojës, shkruan srf.ch. Ndeshjet në këto nivele garash mund të rifillojnë dhe të vazhdojnë deri në njoftimin e mëtutjeshëm, thuhet në një mesazh të publikuar nga Federata Zvicerane e Futbollit.
Federata në fjalë, duke mbështetur masat e Qeverisë kundër koronavirusit, kishte anuluar të premten e kaluar aktivitetin në fushë për të gjitha ligat në vend, transmeton albinfo.ch. Por përgjegjësit e futbollit në vend tani shkruajnë se klubet duhet të kontaktojnë autoritetet kantonale për të konstatuar nëse ka kufizime – pavarësisht nga numri i pritshëm i spektatorëve.
Xhiroja e ndeshjeve të Ligës së Parë të futbollit (që është e treta pas superligës dhe Challenge League) e paraparë për këtë fundjavë do të shtyhet, në një mënyrë ose në tjetrën, përcjell albinfo.ch. Ndërsa pushimi i lojës vazhdon të vlejë për Super Ligën dhe Challenge League.