Organizatorët e “Swiss Music Awards” kanë bërë një hap “me rrezik”: reperja Loredana do të performojë drejtpërdrejt (live) në spektaklin më të madh zviceran të muzikës së popullarizuar, shkruan 20minuten.ch.
Emrat e këngëtarëve që do të paraqiten drejtpërdrejtë në “Swiss Music Awards 2020” tashmë janë të njohur: mes tyre, sigurisht emri më i diskutueshëm është ai i Loredanës, transmeton albinfo.ch. Këngëtarja me rrënjë shqiptare nga Kosova, gjatë gjithë vitit të kaluar ka qenë në kryetitujt e mediave: por duhet thënë, më shumë se për hitet muzikore, për problemet e saj me ligjin. Sidoqoftë, Loredana do të jetë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve dhe do të këndojë live.
Ajo me siguri do të jetë në qendër të vëmendjes në këtë spektakël. Do të jetë kjo paraqitja e parë e madhe e këngëtares nga Lucerni, me rrënjë nga Kosova. Loredana kishte anuluar paraqitjen e saj në Openair Frauenfeld verën e kaluar pasi zyra e prokurorit publik Lucerne kishte filluar një hetim mbi të për dyshime për mashtrim, përcjell albinfo.ch. Megjithatë, derisa nuk ka gjykim të plotfuqishëm, Loredana mund të konsiderohet e pafajshme dhe për të vlen prezumimi i pafajësisë.
“Swiss Music Awards” do të mbahet më 28 shkurt në KKL në Lucern dhe do të moderohet nga komediani Hazel Brugger. Atë do ta transmetojë drejtpërdrejt televizioni publik zviceran SRF.